Kërkohet shkarkimi i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, kundërshtohet nga opozita

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancë plenare po e shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Fitore Pacolli tha se përbërja e këtij bordi është jo profesionale, derisa shtoi se Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave nuk ka punuar në modernizimin e transportit hekurudhor.

Pacolli përmendi ngecjen e funksionimit të linjave hekurudhore, përveç asaj Prishtinë-Pejë.

“Autoriteti Rregullativ I Hekurudhave ka dështuar në vënien nën kontroll të qarkullimit ilegal të trenave nga Serbia në drejtim të stacionit në Mitrovicë. Çdo vit kemi rënie të numrit të udhëtarëve në transportin hekurudhor. Gjatë periudhës kohore 2007-2020, kemi rënie të numrit të udhëtarëve nga 417 mijë në 58 mijë e 819 udhëtar. Nuk kemi një analizë të mirëfilltë pse kemi një rënie të tillë”, tha Pacolli.

Duke kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për shkarkimin e këtij bordi, ajo tha se janë konstatuar dështime.

“Është shqetësuese ekzistimi i 268 vendkalimeve ilegale mbi binar të cilat në vazhdimësi janë rrezik për jetën e qytetarëve, vetëm gjatë periudhës 2016-2020 janë lënduar 48 persona përderisa të vdekur I kemi 11 persona. Është shqetësuese mungesa e vendosjes së shenjave sinjalizuese në vendet përkatëse dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe si pasojë sot kemi edhe ndërtim të shtëpive dhe objekteve të banimit afër binarëve apo rrjetit hekurudhor. Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave ka neglizhuar bashkëpunimin me nivelin komunal dhe me organet e sigurisë. Autoriteti Rregullativ I Hekurudhave ka shkelur rregulloren për operimin me licencë të operatorëve në rehabilitimin e hekurudhave”, tha ajo.

Lidhur me këtë propozim ka dalë kundër opozita.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj thotë se arsyet e shkarkimit janë politike dhe tendencioze.

“LDK është kundër shkarkimit të ARH-së. Arsyetimi i shkarkimit duhet të jetë i qartë e jo siç po bëhet për kapjen e institucioneve. Arsyet janë politike dhe tendencioze”, tha Zemaj.

Ndërsa, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës tha se shkarkimi i bordit është kapje e shtetit.

“Kjo nuk është kapje e shtetit por plasje e shtetit”, tha Hamza.

Bordi i Autoritetit Rregullativ të hekurudhave kryesohet nga Arsim Berisha, ndërsa anëtar janë Gëzim Qerimi, Shkumbim Hyseni dhe Ilmi Ahmeti.