Kërkohet shpenzim racional i ujit, niveli në liqenet akumuluese po bie

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ” Prishtina”, ka njoftuar se niveli i ujit në liqenet akumuluese ka pësuar rënie.

Sipas ujësjellësit, niveli i ujit në liqenin e Batllavës është minus 4.20 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit minus 4.74 metra nën kuotën maksimale.

“Çdo javë po bie nga 20 cm, pothuajse në të dyja liqenet. Çfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të ndaluar keqpërdorimin e ujit, për të ruajtur ujin për periudhat vijuese”thuhet në një komunikatë të ujësjellësit, i cili ka dhënë edhe disa këshilla që duhet përmbajtur secili konsumatorë i ujësjellësit ,,Prishtintina”.-

Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,

Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,

Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet,

Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,

Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët,

Mos vadisni lulet, kopshtet dhe arat,

Paguani rregullisht ujin që konsumoni,

Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,

Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.

Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji, andaj kurseje atë.

Në komunikatë thuhet se nëse i përmbahemi në përpikmëri këtyre këshillave të lehta , duke filluar nga koha e tashme, Kompania Rajonale e Ujësjellësit ” Prishtina”, do ta furnizojë me ujë të pijshëm secilin konsumatorë në mënyrë të barabartë dhe pa reduktime.