​Këto janë ndërlikimet e njohura shëndetësore me cigaren elektronike

Ato kanë çmime më të larta sikur të ishin më të mira se pirja e duhanit, por ekspertët këmbëngulin se kjo nuk do të thotë që cigarja elektronike, e cila njihet ndryshe si “vape”, është e sigurt. Në fakt, këto “pajisje” të ngarkuara me nikotinë janë të lidhura me një katalog problemesh shëndetësore.

Vetëm sot një studim tronditës paralajmëroi se cigaret elektronike mund të rrisin rrezikun e dështimit të zemrës. Studiuesit gjurmuan 175.000 të rritur në SHBA dhe zbuluan se ata që pinë vape kishin pothuajse një të pestën më shumë gjasa për të zhvilluar gjendjen vdekjeprurëse, sesa ata që nuk i përdornin ato.

MailOnline mund të zbulojë gjithashtu se numri i efekteve anësore të padëshiruara të lidhura me cigaret elektronike tani ka eklipsuar numrin 1000. Lista e gjerë përfshin gjithçka nga dhimbja e kokës deri te goditjet në tru.

Rritja e normave të përdorimit te fëmijët ka ngjallur frikën se brezat e rinj po ecin drejt një krizë të shëndetit publik.

“Është e qartë se nga shumë njerëz supozohet se cigarja elektronike nuk është e dëmshme kur në të vërtetë jep një dozë të lartë nikotine në mushkëri dhe rrjedhimisht mund të rezultojë në dëmtim të mushkërive, rrugëve të frymëmarrjes dhe enëve të gjakut, gjë që lidhet me studimin e fundit amerikan që tregon se e-cigaret janë lidhur me një rrezik të shtuar të dështimit të zemrës”, tha Salim Khan, kreu i departamentit për shëndetin publik në Universitetin e Birmingham City.

Khan tha gjithashtu se qeveria duhet të zbatojë një strategji për ndërprerjen e këtyre cigareve të ngjashme me fushatën për të ndaluar pirjen e duhanit.

“Duket se nuk ka asnjë strategji për ndërprerjen e cigares elektronike dhe kjo mund të ketë çuar në rritjen e përdorimit dhe numrit të përdoruesve të rinj dhe të rritur,” tha ai.

Ndërsa studimi i fundit ka lidhur avujt me dështimin e zemrës, nuk është i vetmi efekt anësor negativ i lidhur me pajisjet.

MailOnline ka analizuar të dhënat mbi reaksionet anësore të lidhura me përdorimin e vape të mbledhura nga mbikëqyrësi i Mbretërisë së Bashkuar, Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA).

Deri në muajin shkurt janë regjistruar gjithsej 1009 reagime, pesë prej tyre fatale.

Të pesë vdekjet ishin të lidhura me probleme të shëndetit të frymëmarrjes dhe probleme kardiovaskulare.