Rrjeti amerikan i restoranteve KFC mbylli përkohësisht 108 dyqane në Malajzi pas bojkotit të nisur për të reaguar ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza dhe për të mbështetur popullin palestinez, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të gazetës “Strait Times”, KFC ka ndërprerë një pjesë të konsiderueshme të operacioneve në Malajzi.
Sipas informacionit të publikuar nga gazeta në gjuhën kineze “Nanyang Siang Pau” bazuar në Google Maps, QSR Brands, e cila zotëron dhe operon me KFC-në në Malajzi, ndaloi përkohësisht operimet në 108 dyqane në të gjithë vendin.
Dyqanet e KFC në zonat Jalan Ipoh, Jalan Sultan dhe Tamam Melavati të kryeqytetit Kuala Lumpur u mbyllën. Punonjësit theksuan se degët janë mbyllur javën e fundit për shkak të mungesës së klientëve.
Në shtetin Kelantan të Malajzisë, 80 për qind e dyqaneve të KFC u mbyllën përkohësisht. Kjo u pasua nga shteti Johor, ku u mbyllën 15 degë.
QSR Brand nuk ka bërë ndonjë deklaratë lidhur me çështjen. KFC në Malajzi ka mbi 600 dyqane.
Kompanitë ndërkombëtare që dhanë deklarata në mbështetje të sulmeve të ndërmarra nga Izraeli kundër Rripit të Gazës më 7 tetor dhe dërguan ndihma janë objekt i bojkotit dhe protestave në mbarë botën.
Zinxhiri amerikan i restoranteve KFC ishte ndër markat perëndimore që u përballën me protesta dhe fushata bojkotimi si ato McDonald’s, Pizza Hut, Starbucks, Domino’s, Unilever dhe Nestle.