KFOR-i për ushtrimet e Ushtrisë shqiptare dhe FSK-së: Mediat po përhapin tensione

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, ka thënë se nuk ka kurrfarë indikacionesh se në veri të Kosovës mund të vijë deri te aksione të organizuara të dhunshme.

“E vetmja gjë që paralajmëron destabilizim janë spekulimet e shpeshta të cilat po i plasojnë disa media, duke shkaktuar një tension të pa arsyeshëm tek popullata”, tha Grasso.

Sipas tij nuk ka asnjë arsye për shqetësim dhe se vazhdojnë të kenë bashkëpunim të mirë me institucionet e Kosovës dhe ato të ushtrisë serbe.

Grasso duke folur edhe për ushtrimin e përbashkët të Ushtrisë së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, ka thënë se ky ushtrim është një shembull i përdorimit të keq të retorikës.

“Ky ushtrim është një shembull i përdorimit të keq të retorikës. Ushtrimet e përbashkëta të Ushtrisë së Shqipërisë (bëhet fjalë për disa ushtarë) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës ka të bëjë me stërvitjen e aftësive të kërkim shpëtimit. Por, në disa media kjo u prezantua si një kërcënim nga aksione të organizuara të dhunshme në veri të Kosovës. Kjo stërvitje në asnjë mënyrë nuk ka ndikuar në misionin e KFOR-it”, ka thënë Grasso për gazetën Novosti.

Ai po ashtu ka thënë se KFOR-i është e vetmja forcë e autorizuar me Rezolutën e OKB-së që të garantojë sigurinë në Kosovë, kurse NATO është e gatshme të dërgojë trupa shtesë në Kosovë”.