KFOR-i thotë se nuk mori pjesë në zbatimin e operacionit në veri dhe nuk kishte konsultime

Misioni i NATO-s në Kosovës, KFOR ka thënë se nuk ka qenë i përfshirë në realizimin e operacionit të Policisë së Kosovës në katër komunat në veri të Kosovës për mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë.

Në një reagim KFOR ka thënë se janë njoftuar “njoftua pak para fillimit të operacioneve”, duke shtuar se pret konsultime nga Policia e Kosovës apo edhe FSK për veprimet që mund të ndikojnë në sigurinë rajonale.

“KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale. KFOR-i vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që diplomacia të ecë përpara. Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në ndër të tjera në reagimin e KFOR-it, përcjell teve1.info

Për aksionin në veri ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, ShBA e Mbretëria e Bashkuar, duke thënë se ky veprim mund të përshkallëzojë situatën e sigurisë, duke i bërë thirrje për koordinim për veprimet.

Nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me kritikat e parterëve për këtë aksion.

I vetmi që ka komentuar deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, ka qenë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se veprimi ka të bëjë me vendosjen e ligjshmërisë.

Në aksionin e së hënës Policia dhe ATK kanë mbyllur gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” në veri të vendit dhe me urdhër të prokurorit u konfiskuan 1.6 milionë euro e mbi 74 milionë dinar