Kievi tërhiqet përkohësisht nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Ukraina ka vendosur të “çlirohet” përkohësisht nga detyrimet e saj sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), në mënyrë që të jetë në gjendje të zbatojë plotësisht ligjin ushtarak në territorin e saj kombëtar, i cili ka qenë në fuqi që nga dita e sulmit rus, 24 Shkurt 2022.

Kështu raporton Rbc-Ukraine, e cila gjithashtu ka publikuar dokumentin e dërguar dhe publikuar në faqen e internetit të Këshillit të Evropës.
Në të, shkruan RBC-Ukraine, thuhet se udhëheqja ushtarake e Ukrainës ka të drejtë të kufizojë lirinë e lëvizjes së qytetarëve, të inspektojë gjërat dhe madje të shpronësojë me forcë pronën për nevojat e shtetit.

“Në bazë të nenit 3 të Dekretit Presidencial në lidhje me futjen e ligjit ushtarak në Ukrainë, të drejtat dhe liritë kushtetuese të personit dhe qytetarit, të parashikuara në nenet 30-34, 38, 39, 41-44, 53 të Kushtetutës të Ukrainës, mund të kufizohet përkohësisht për periudhën e gjendjes ushtarake”, thuhet në dokument.

Në veçanti, shkruan RBC-Ukrainë, mund të zbatohen masat e mëposhtme ligjore: shpronësimi me forcë i pronës për nevojat e shtetit, futja e një shtetrrethimi, vendosja e një regjimi të veçantë hyrje-daljeje, vendosja e ndalimit të takimeve dhe demonstratave paqësore. Lejohet gjithashtu inspektimi i sendeve, automjeteve, bagazheve dhe mallrave, zyrave dhe shtëpive të qytetarëve, duke iu nënshtruar kufizimeve të përcaktuara me Kushtetutën e Ukrainës. Ukraina gjithashtu mund të ndalojë ose kufizojë zgjedhjen e vendit të qëndrimit ose vendbanimit të njerëzve në territorin ku është vendosur ligji ushtarak.

Ligji ushtarak, në fuqi që nga dita e pushtimit, është shtrirë në disa faza, e fundit prej të cilave daton që nga 14 shkurti i vitit të kaluar, kur Verkhovna Rada votoi për ta zgjatur atë me 90 ditë, deri më 13 maj.

“Qëllimi i ligjit ushtarak është garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe shtetit, mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe zmbrapsja e agresionit.”, thuhet në artikull. /abcnews