Kina bëri thirrje të hënën për akses të papenguar përmes Ngushticës së Hormuzit, disa orë pasi SHBA-ja njoftoi bllokimin e rrugës kryesore ujore, me Pekinin që bëri thirrje kundër konfliktit të ri me Iranin, transmeton Anadolu.
“Ngushtica e Hormuzit është një rrugë e rëndësishme për furnizimet globale dhe tregtinë e energjisë. Mbajtja e saj e qëndrueshme, e sigurt dhe e papenguar i shërben interesave të bashkësisë ndërkombëtare”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun.
“Pengimi ka shkakun rrënjësor në konfliktin në Iran dhe e vetmja rrugëdalje është armëpushimi dhe përfundimi i armiqësive në një datë të hershme”, tha Guo.
Reagimi i Pekinit erdhi pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një bllokadë ndaj porteve iraniane që do të hyjë në fuqi në orën 14:00 GMT të hënën, tha një raport i inteligjencës detare me bazë në Londër.
“Të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qeta, të ushtrojnë përmbajtje”, theksoi Guo, duke shtuar se Pekini “është gati të mbrojë sigurinë energjetike dhe zinxhirin e furnizimit të papenguar”.
“Por përparësia është të rikthehet paqja dhe stabiliteti” në Lindjen e Mesme, shtoi ai. Më parë, Kina kishte fajësuar operacionin ushtarak “të paligjshëm” nga SHBA-të dhe Izraeli kundër Iranit për konfliktin në rajon.
Lidhur me kërkesën e Trumpit ndaj Pekinit për të blerë naftë dhe gaz nga SHBA-të dhe Venezuela, Guo tha: “Venezuela ka sovranitet të plotë dhe të përhershëm mbi burimet e saj kombëtare dhe aktivitetet ekonomike dhe ka të drejtë të zgjedhë në mënyrë të pavarur partnerët e saj të bashkëpunimit pa asnjë vend tjetër që të tregojë me gisht”.
Trump ka kërcënuar të vendosë tarifë prej 50 për qind ndaj Kinës, si dhe vendeve të tjera, nëse ato dërgojnë armë në Iran.
“Sa i përket Kinës, Kina mund të dërgojë anijet e saj tek ne. Kina mund të dërgojë anijet e saj në Venezuelë. Ne u thamë atyre… të blejnë nga Venezuela”, tha ai të dielën.
SHBA-ja dhe Irani kanë qenë duke respektuar një armëpushim dyjavor, të ndërmjetësuar nga Pakistani, që nga 8 prilli.
Bisedimet e mbajtura midis dy palëve ndërluftuese në Islamabad gjatë fundjavës mbetën të paqarta dhe më vonë, Trump njoftoi bllokadën e Ngushticës së Hormuzit.
Transporti përmes ngushticës është ndalur menjëherë të hënën.





