Kina paralajmëron SHBA-të: Mos i shisni armë Tajvanit, do marrim masa

Kina ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do të marrin masa, pasi administrata Biden miratoi shitjen e armëve me vlerë mbi 1.1 miliardë dollarë për Tajvanin.

Zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashington, Liu Pengyu tha se Kina ishte kundër shitjeve, të cilat rrezikojnë rëndë marrëdhëniet Kinë-SHBA, paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe i bëri thirrje Uashingtonit që t’i revokojë menjëherë” ato, shkruan CNN.

“SHBA ndërhyn në punët e brendshme të Kinës dhe minon sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës duke i shitur armë Tajvanit ”, shkroi Liu në Twitter.

Komentet e Liu erdhën pasi administrata Biden njoftoi zyrtarisht Kongresin të premten për shitjet të cilat përfshijnë deri në 60 raketa kundër anijeve dhe deri në 100 raketa të tjera.

Tensionet midis Kinës dhe SHBA-së u rritën pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan në fillim të gushtit.

Në fillim të kësaj jave, dy anije luftarake të Marinës së Shteteve të Bashkuara hynë në ngushticën e Tajvanit në atë që ishte tranziti i parë detar i SHBA në rrugë ujore që nga tensionet SHBA-Kinë për shkak të vizitës së Pelosit.