Kina refuzon thirrjen e SHBA-së për takimin e ministrave të Mbrojtjes në Singapor

Kina ka refuzuar sot thirrjen e SHBA-së për një takim të ministrave të Mbrojtjes në samitin e Dialogut Shangri-Lam në Singapor këtë javë.

“Uashingtoni është i qartë për vështirësitë me të cilat përballet dialogu ushtarak Kinë-SHBA”, tha sot në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.

Ajo i bëri thirrje SHBA-së të respektojë shqetësimet e Kinës për sovranitetin dhe sigurinë, të korrigjojë praktikat e gabuara dhe të krijojë atmosferën dhe kushtet e nevojshme për dialog dhe komunikim midis ushtrive kineze dhe amerikane.

Mao nuk përsëriti thirrjen për heqjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj ministrit të Mbrojtjes Li Shangfu.

SHBA-ja kërkoi një takim midis ministrit të Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe gjeneralit Li në samitin e mbrojtjes të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike që po mbahet në Singapor nga e premtja deri të dielën.

Një zëdhënës i Pentagonit tha se pala kineze po refuzonte takimin.

SHBA-ja vendosi sanksione ndaj departamentit të zhvillimit të armëve të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës në vitin 2018 dhe ndaj Li, udhëheqësit të saj në atë kohë, duke përmendur marrëdhëniet me Rusinë.

Sanksionet kufizojnë transaksionet financiare dhe lidhjet e biznesit në SHBA.

Administrata amerikane nuk e pa këtë si pengesë për një takim midis Austin dhe Li, i cili u emërua ministër i Mbrojtjes i Kinës në mars.

Marrëdhëniet midis dy fuqive kanë rënë në nivele të ulëta pas rrëzimit të një baloneje të dukshme spiunazhi kinez, në shkurt dhe anulimit të vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Kinë.

Samiti vjetor i IISS mbledh së bashku qindra ministra, oficerë ushtarakë dhe ekspertë të mbrojtjes. /atsh