Kjo është përqindja e vaksinimit antiCOVID në Kosovë, një vit pas dhënies së vaksinës së parë

Kosova ishte shteti që nisi vaksinimin antiCOVID më së voni në rajon. Pavarësisht kësaj, sot bëhen një vit që kur edhe u dhanë vaksinat e para kundër këtij virusi.

Deri më tani në Kosovë janë administruar 1.820.000 doza të vaksinës antiCOVID, ndërsa vaksinimi tek popullata mbi 18 vjeçe në vend ka arritur në 70 përqind, me një dozë dhe 63.4 përqind me dy doza, transmeton lajmi.net.

Kurse tek moshat mbi 12 vjeç, deri më tani janë vaksinuar 62.7% me një dozë, kurse 57.1% me dy doza.

“Mbi 11.1 miliardë doza të administruara deri tash në nivel botëror, nuk i kanë zbutur, megjithatë, dallimet e thella në qasjen në vaksina midis shteteve të pasura dhe të varfra, sepse vetëm 14.5% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.Një vit nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 (29 mars 2021), ndonëse e ka filluar e fundit në rajon vaksinimin, Kosova ia ka dalë që të ketë shkallë më të lartë të vaksinimit se shtetet e rajonit, përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë dhe shtete të tjera, përderisa ka shkallë të krahasueshme me disa shtete të Evropës.”, shkroi Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai theksoi se me mbi 1.820.000 doza të administruara, vaksinimi te popullata mbi 18 vjeçe në Kosovë ka arritur në 70% me një dozë dhe 63.4% me dy doza.

“Te popullata mbi 12 vjeçe, janë vaksinuar 62.7% me një dozë dhe 57.1% me dy doza. Sfidë mbetet vaksinimi me dozën e tretë, ku vetëm rreth 7% e popullatës mbi 12 vjeçe e kanë marrë atë.Një vit pas, të gjithë ata që kanë qenë pjesë e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 përmes Komitetin për Imunizim, Ekipit menaxhues dhe ekipeve vetëmohuese të vaksinimit në 30 komuna të Kosovës, kanë arsye të fortë të ndjehen krenar për kontributin që kanë dhënë në shpëtimin e shumë jetëve të njerëzve tonë.”, theksoi Hoti.

Hoti tha gjithashtu se vaksinimi kundër COVID-19 është një tregim suksesi për rrethanat dhe shëndetësinë e Kosovës.