KMDLNj bën fajtorë edhe ndërkombëtarët për mos votimin e Demarkacionit – tregon arsyet pse tanimë duhet votuar

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është çështja që më së tepërmi është përdorur dhe është keqpërdorur për qëllime politike, përfitime personale, partiake dhe klanore.

Sipas KMDLNJ-së, opozita, cilado që ishte ajo, Demarkacionin e përdornin si armë politike dhe jo vetëm politike për ta luftuar pozitën kurse në anën tjetër pozita e përdorte demarkacionin si mjet legal për diskreditimin e opozitës dhe adresimin e përgjegjësisë për mosliberalizim të vizave sikur edhe për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Që të dyja këto blloqe politike ushqeheshin nga menyja e njëjtë ku, delikatesë ishte Demarkacioni. Këto skaje politike ishin skajshmërisht manipuluese dhe pa asnjë dyshim për aq sa ishte e interesuar opozita të mos kalojë demarkacioni, hiç më shumë ishte e interesuar pozita që të kalojë demarkacioni”, thuhet në një komunikatë të KMDLNj-së.

Madje, sipas këtij institucioni, edhe ndërkombëtarët luanin me dy palë letra të cilat i hapnin vetëm ato që iu interesonin.