Komandanti i KFOR-it: Pa miratimin tim, FSK-ja nuk mund të vendoset në veri të Kosovës

Komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajari ka folur për situatën aktuale dhe gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Ai theksoi se pa miratimin e tij, nuk mund të bëhet vendosja e FSK-së në veri të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas një marrëveshje të mëparshme, duhet të autorizohet nga komandanti i KFOR-it para çdo dislokimi në veri të Kosovës. Policia e Kosovës mund të lëvizë lirshëm në mbarë Kosovën. NATO pret që institucionet vendase të vazhdojnë t’u përmbahen marrëveshjeve. Në javët e para jam takuar me krerët e institucioneve në Kosovë, të cilët më kanë siguruar se para çdo veprimi, do të ketë koordinim të duhur me Kosovën dhe vendosja e FSK-së në veri të Kosovës do të vazhdojë të bazohet në njoftimin dhe miratimin paraprak nga komandanti i KFOR-it”, ka thënë Kajari në një intervistë për “Kosovo Online”.

Kajari ka shtuar po ashtu se e ka ditur se detyra që po e merr është komplekse, por qysh në fillim është përballë me sfida të ndryshme.

“Situata aktuale është përgjithësisht e qëndrueshme dhe KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij në baza ditore – mandat që rrjedh nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të kontribuuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë për të gjitha komunitetet që jetojnë atje”, ka thënë Kajar.