Koncepti Kuranor i ‘robërisë’: ndërmjet robërisë së lirë dhe nënshtrimit të imponuar

Hoxhë Halil Avdulli

Një nga përshkrimet më të larta që i bëhen Muhamedit a.s. në Kuran është “robi i Allahut”.

Këtë cilësi ai vetë e la si trashëgimi shpirtërore për umetin e tij, kur tha:

“Mos e teproni me mua siç e tepruan të krishterët me Isain, birin e Merjemes; kur doni të më lavdëroni, thoni: I Dërguari i Allahut dhe robi i Tij.”

Megjithatë, fjala “rob” në perceptimin njerëzor është shpesh e ngarkuar me kuptime negative, sepse njerëzimi ka përjetuar historikisht skllavërinë si një sistem poshtërues dhe racist, që denigronte dinjitetin e njeriut dhe e trajtonte si send.

Por në Kuran, kjo fjalë bart një kuptim krejt tjetër dhe shumë më të lartë. Zoti i Lartësuar e përdor fjalën ‘abd (rob) në dy forma shumësore: ‘ibâd dhe ‘abîd, të cilat, megjithëse dalin nga i njëjti rrënjëzim, mbartin dy koncepte të ndryshme:

• ‘Ibâd – nënkupton robër që adhurojnë me zgjedhje të lirë. Ata i binden Zotit me vetëdije, dashuri dhe nënshtrim të vullnetshëm. Kjo është robëria që buron nga dashuria dhe njohja e Krijuesit.

• ‘Abîd – tregon robër ose skllevër që janë të detyruar, ku dorëzimi nuk është akt lirie, por imponim.

Në Kuran, Zoti asnjëherë nuk ka thënë “ʿabîdî” (skllevërit e Mi), por gjithmonë ka thënë “ʿibâdî” (robërit e Mi).

Kjo është një dallim kuptimor shumë i thellë:

Ne jemi ‘ibâdullāh – robër të Allahut, jo ‘abîdullāh – skllevër të Tij.

Sepse ‘ibâd janë ata që i dorëzohen me dashuri e vetëdije, ndërsa ‘abîd janë ata që i nënshtrohen pa zgjedhje.

Allahu na e ka dhënë nderin të jemi robër të lirë që e duan dhe e adhurojnë, jo të detyruar pa vullnet.

Në Kuranin fisnik, kjo robëri me vullnet të lirë (‘ibâd) përmendet afro 100 herë, kryesisht në dy momente të qenies së njeriut: në jetën e kësaj bote dhe në jetën e përjetshme, në Xhenet.

Ndërkaq, robëria e imponuar (‘abîd) përmendet vetëm pesë herë, dhe atë në kontekstin e ringjalljes dhe llogaridhënies, kur njeriu nuk ka më zgjedhje, por është nën pushtetin absolut të drejtësisë hyjnore.

Kështu, robria ndaj Allahut në kuptimin kuranor nuk është poshtërim, por shprehje e lirisë më të lartë, sepse vetëm ai që i dorëzohet Zotit lirohet nga çdo formë e robërisë

Hoxhë Halil Avdulli