Konferenca e Mynihut, Kurti: Për dy ditë zhvilluam 17 takime bilaterale me liderë e përfaqësues nga Evropa dhe bota

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njofton se gjatë qëndrimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih ka zhvilluar 17 takime bilaterale.

Kurti me anë të një shkrimi në Facebook tregon se është takuar me liderë e përfaqësues politikë nga Evropa dhe bota.

Konferenca e Sigurisë është një takim vjetor për politikën ndërkombëtare. Gjatë katër dekadave të fundit, konferenca është bërë forumi më i rëndësishëm për shkëmbimin e pikëpamjeve nga vendimmarrësit e politikave ndërkombëtare të sigurisë. Çdo vit kjo mbledh rreth 350 figura të larta nga më shumë se 70 vende të botës për t’u përfshirë në një debat intensiv mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme të sigurisë.

Lista e të pranishmëve përfshin krerët e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, ministra, deputetë, përfaqësues të rangut të lartë të forcave të armatosura, shkencës, shoqërisë civile, si dhe bizneseve dhe medieve.