Njësitë Atikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë kryer një kontroll operacional në një barnatore në qytetin e Ferizajt.
Sipas një njoftimit nga Dogana e Kosovës bëhet e ditur se gjatë kontrollit, doganierët kanë konstatuar një sasi të konsiderueshme barnash pa banderola, të cilat nuk janë futur përmes rrugëve zyrtare dhe procedurave të rregullta doganore.
“Në total janë konfiskuar 153 copë artikuj medicionalë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë preparate që qarkullojnë vetëm me recetë, produkte terapeutike për sëmundje kronike, medikamente dermatologjike, antiepileptikë, antihipertensivë dhe produkte të tjera farmaceutike të ndjeshme”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se i gjithë malli është konfiskuar sipas procedurave ligjore dhe është dërguar në depot doganore për trajtim të mëtejshëm, ndërsa rasti është iniciuar si kundërvajtje doganore sipas Kodit Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrollit në tregun farmaceutik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e qarkullimit të barnave të pasigurta.







