Konjufca edhe sot në Hagë, takon Thaçin e Veselin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të vazhdojë edhe sot takimet në Gjykatën Speciale në Hagë.

Konjufca sot pritet të takohet me dy ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin, Kadri Veseli.

Konjufca dje është takuar me Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Pjetër Shalën, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn. Kujtojmë që Gucati e Haradinaj janë dënuar më 4 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale.

Pas takimeve që pati dje, Konjufca, ka shtuar se Gjykata Speciale nuk është bërë prej qefit, por prej zorit.

“Me iu thënë të drejtën ne si Kosovë i shohim me shumë shqetësim. Shqetësuese ka qenë vet ekzistenca themelimi i kësaj Gjykate. Edhe ata që kanë menduar që është e pashmangshme edhe ata kanë pasur vërejtjet e veta në atë kohë kur është themeluar. Pra nuk është se është bërë prej qefit, ka qenë një far gjykate e zorit më thënë të drejtën, edhe ata që e kanë ngritur dorën kanë menduar se po të mos të bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë së prapë Kosovë do të pësonte. E di që në atë kohë nuk ka qenë e lehtë as për ata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar “për” ”, ka thënë i pari i Kuvendit në një intervistë për RTK.

Ai është shfaqur prapë kritik ndaj kësaj Gjykate duke thënë se po bëhen dy vite që krerët e UÇK-së janë në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor nuk ka filluar ende.

“Puna e saj deri tashme ka shumë defekte. Ajo që menjëherë ta merr vëmendjen, është se po bëhen dy vjet që këta janë të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”, ka shtuar Konjufca.

Mbetet të shihet se cilat do të jenë fjalët e Konjufcës pas takimeve me dy ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me të cilët ka pasur shumë polemika, mospajtime, kritika e akuza.