Konjufca: S’ka Asociacion pa kthimin e serbëve të Kosovës në institucione

Kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk do të ketë themelim të një Asociacioni pa u kthyer serbët e Kosovës në institucione.

Konjufca ka thënë se këtë e kanë thënë edhe vetë vendet e QUINT-it. Konjufca ka folur për gazetarët, ndërsa ka marrë pjesë në një konferencë rajonale të mbajtur lidhur me perspektivën parlamentare për barazinë gjinore dhe qëndrueshmërinë demografike në Ballkanin Perëndimor.

“Unë kam dëgjuar vendet e QUINT-it që kanë thënë se s’ka Asociacion pa u kthyer serbët në institucione. Të na tregojnë a është ndryshuar qëndrimi i vendeve të QUINT-it. Pyesni ata. Mund t’ju pajisë me deklaratën e tyre, ku thonë se s’ka Asociacion pa kthim në institucione. S’mund të kushtëzoni Asociacionin duke shantazhuar Kosovën nga Beogradi. Do të vini në Kosovë, regjistroheni në Kosovë, do të merrni pjesë në zgjedhje në Kosovë e do të mbushen institucionet me përfaqësues. Çfarë ndodhi, ata se bënë këtë, ne vazhduam rrugën tonë me zgjedhjen e kryetarëve të ri të komunave në veri. Pyesni kush e ka përgjegjësinë, përgjegjësinë e kanë ata që s’u regjistruan”, ka thënë Konjufca.