Konjufca: Thaçi nuk bën t’i udhëheqë bisedimet – s’ka mendësi shtetari

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se mendësia krejt individuale e presidentit Hashim Thaçi e bën atë njeriun më jo të duhur për ta udhëhequr fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ai ka deklaruar se nuk mund t’i lihet një proces kaq i rëndësishëm një njeriu që sipas tij “me kryeneçësi po do që kah të shkojë karriera e tij të shkojnë edhe proceset politike”, duke paralajmëruar se çdo marrëveshje që dëmton vendin do të përballet me rezistencë të fuqishme nga Vetëvendosje.

“Rreziku më i madh në shoqërinë tonë është nëse Hashim Thaçi do të bëhej drejtor i PTK-së, sepse ai edhe ashtu do ta udhëhiqte dialogun. Ai nuk ka mentalitet shtetëror, por individual politik. Kosova deri në vitin 2010 ka shënuar disa fitore ndaj Serbisë, me disa hapa prapa, por më shumë përpara. Rasti më spektakular ka qenë ai i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

“Nga viti 2011 ne kemi shënuar veç hapa prapa. Janë nënshkruar shumë marrëveshje, të cilat mendoj se janë të dëmshme. Ne vazhdimisht kemi folur për tema të brendshme. Pas vendimit të GJND-së askush nuk ka detyruar të bëjmë kompromise, për shembull që Serbia të ketë Korporatë Energjetike brenda në Kosovë. Qeveria jonë e ka bërë këtë gabim”.

“E nevojshme për neve është që t’ia ndërrojmë kahun dialogut. Nëse ai vazhdon si deri tash unë e di çfarë do të ndodhë. Do të thotë rezultati do të jetë shumë i keq në fund. Korniza do të jetë asimetrike. Ne do ta pranojmë mospranimin e vetvetes. Do të suspendohet reciprociteti. Serbia na ka ne në kushtetutë, jo ne Serbinë”.

“Ne mendojmë që korniza duhet të jetë kjo: marrëdhëniet që do të diskutohen do të jenë të jashtme, e kurrsesi të brendshme”.

“Nëse ai(Hashim Thaçi) mendon të shkojë atje(në Bruksel) dhe t’i japë Serbisë më shumë se Plani i Ahtisaarit dhe Serbia që ta ketë rrugën e hapur drejt BE-së, atëherë Vetëvendosje do të bëjë gjithçka që ka në dorë për ta ndalur këtë gjë”.