Kontrollet radiologjike të pa justifikuara, si po rrezikojnë shëndetin e njerëzve

Figura 3. Iustrim ekzaminimi skanimi CT

Përgatiti Gerta Halilaj *Pedagoge dhe Teknike Imazheri Mjekësore, S. U. Sh. Ndoqi, Tiranë

Të ndërgjegjësohemi në përdorimin me kujdes dhe të justifikuar të rrezatimeve jonizuese.(Përdorim të justifikuar klinikisht dhe shkencërisht dhe të kujdesshëm të ekzaminimeve radiologjike, Grafi/Skaner)

Imagjinojeni botën përpara 1895, shumë pak teknologji që sot konsiderohet thelbësore: pa kompjuter, televizion, aviacion dhe pa teknika diagnsotikuese apo terapeutike imazherike. Përpara se të shpikeshin paisjet me rrezatim X, frakturat kockore, tumoret, trupat e huaj mund të vlerësoheshin dhe diagnostikoheshin vetëm përmes ekzaminimit fizik.

Në 8 Nëntor të vitit 1895 fizikanti Wilhelm Conrad Röntgen zbuloi në Universitetin e Würzburg, Gjermani, një lloj rrezatimi të panjohur që ai e quajti rrezatimi X. Ky zbulim do të shënonte fillimin e një ndryshimi revolucionar në fushën e mjekësisë që do të ndihmonte miliona pacientë në mbarë botën më vonë.

Tre ditë përpara Krishtlindjeve në 1895, Wilhelm Conrad Röntgen realizoi radiografinë e parë të dorës së bashkëshortes së tij. Shoqata Fiziko-Mjekësore e Würzburg ishte e para që dëgjoi për rrezet e reja që mund të depërtonin një regjion anatomik dhe të siguronin një imazh të tij. Në janar 1896, bota u përfshi nga “mania e rrezeve X” dhe Roentgen u shpall zbuluesi i një mrekullie mjekësore.

Fig.1. Radiografia e parë e dorës e realizuar nga Wilhelm Conrad Röntgen.

Ndërsa Rontgen dhe kolegët e tij po lavdëroheshin për zbulimin dhe përdorimin e këtij lloj rrezatimi, filluan të shfaqen dëmtimet e para serioze si humbja e gjymtyrëve, djegia e lëkurës, humbje e flokëve. Efekte stokastike të vona si kanceri u vunë re në mjekët dhe laborantët që themeluan klinikat e para rëntgenologjike.

Clarence Dally (1865-1904) ishte e para që vdiq si pasojë e ekspozimit ndaj rrezatimit X në moshën 39 vjecare nga një karcinomë metasatike. Vdekja e radhës që u raportua ishte Elizabeth F Ascheim (1859-1905) në San Francisco.

Në këto kushte lindi nevoja e implementimit të paisjeve mbrojtëse të plumbuara të cilat nuk mund të depërtoheshin nga rrezet X. Përvec kësaj, në 1902 u përdorën për herë të parë paisjet për matjen e dozës së absorbuar të rrezatimit X. Sakrifica e këtyre pionerëve një shekull më parë, krijoi një teknologji diagnostike terapeutike që është jetike për shëndetin tonë sot.

Me zhvillimin e teknologjisë strategjitë e reduktimit të dozave të rrezatimit u përmirësuan ndjeshëm, teknikat imazherike po sofistikohen gjithmonë e më tepër, por kjo nuk duhet të na bëjë të humbasim vëmendjen dhe të harrojmë efektet e dëmshme të rrezatimit jonizues në indet humane.

Sipas të dhënave të OBSH ekzaminimi radiografik i pulmonit përbën 40 % të të gjithë ekzaminimeve imazherike në mbarë botën. Ekzaminimi i Tomografisë së Kompjuterizuar (CT) përbën 6.3 % të të gjitha ekzaminimeve imazherike. Është vlerësuar që 3-10 % e të gjitha këtyre procedurave radiologjike kryhen në pacientë pediatrik.

Figura 2 Ilustrim imazhe X Ray

Gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19 numri i ekzaminimeve imazherike, si radiografia dhe CT e pulmonit janë rritur ndjeshëm për qëllime të diagnostike, te prekjes pulmonare nga virusi SARS-Cov-2. Sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, RT-PCR (tamponi) duhet të përdoret për të konfirmuar diagnozën e Covid-19 (përjashto rastet e procedurave emergjente intervencionuese kur RT-PCR nuk është në dispozcion ose rezultatet vonojnë).

Figura 3. Iustrim ekzaminimi skanimi CT

Shumica e shoqërive mjekësore shprehen kundër përdorimit rutinë të teknikave imazherike për diagnozën e rasteve të dyshuara për Covid-19. Ato rekomandojnë përdorimin e ekzaminimeve imazherike për pulmonin vetëm në rastet e pacientëve të konfirmuar pozitiv për Covid-19 (bazuar në të dhënat e testeve laboratorike) dhe përbërës klinik në të cilët dyshohet për progresion të sëmundjes dhe komplikacione si pneumoni, tromboemboli pulmonare etj.

Nëse përzgjidhen modalitetet imazherike për të vlerësuar ecurinë e Covid-19, atëherë duhet të merren në konsideratë rekomandimet e mëposhtme:

Krahasuar me CT, radiografia e pulmonit ka dozë më të ulët të rrezatimit. Mënyra më e mirë për të kuptuar dozën e rrezatimit nga një ekzaminim imazherik është të krahasohet kjo dozë me dozën e rrezatimit që marrim cdo ditë nga mjedisi që na rrethon.

Doza e rrezatimit të marr gjatë një CT pulmoni është e barabartë me 730 ditë të rrezatimit natyral, pra me rrezatimin natural që marrim në pëerditshmërinë tonë.

Doza e rrezatimit të marr gjatë një radiografie pulmoni është e barabartë me 2.5 ditë të rrezatimit natyral.

Figura 4. Radiografi portabël e pulmonit (COVID 19).

Nëse rekomandohet kryerja e radiografisë apo CT të pulmonit duhet të përdoren protokolle me dozë të ulët të rrezatimit duke mos kompromentuar cilësinë e ekzaminimit. Në pacientë pediatrik dhe paciente femra shtatzëna duhet të favorizohet përdorimi i radiografisë karahasuar me CT.

Për ekografinë e pulmonit ka pak evidence që mbështesin saktësinë e saj diagnostike në Covid-19, por mund të jetë e dobishme si një modalitet shtesë ose alternative sidomos në rastin e pacientëve pediatrik apo pacienteve femra shtatzëna.

Zgjedhja e modalitetit imazherik duhet të bëhet përmes vendimarrjes së përbashkët të mjekut referues, mjekut imazherist. teknicientëve të mjekësisë dhe pacientit, në mënyrë që të evitohet cdo ekspozim i panevojshëm.

Figura 5 Imazhe CT të pulmonit të prekur nga Covid-19.

Teknologjia e përparuar imazherike ka hapur horizonte të reja për diagnostikimin dhe përmirësim të kujdesit ndaj pacientit. Kjo kërkon adaptimin e praktikave që mundësojnë reduktimin e dozave të rrezatimit aq sa është e mundur në mënyrë të arsyeshme (ALARA-As Low As Reasonably Achievable).

Cdo ekzaminim imazherik që përdor rrezatim jonizues duhet të jetë i justifkuar, duhet tʼi shërbejë një indikacioni të caktuar diagnostik ose terapeutik, në të kundërt nuk ka arsye përse të realizohet.

Përdorimi i arsyeshëm i rrezatimeve jonizuese sot do të reduktojë ndjeshëm numrin e pacientëve onkologjik në dekadat e ardhshme.

Figura 6. Ilustrim rrezatimi dhe covid 19

Aplikimi i protokolleve strikte, përditësimi me të dhënat të bazuara në evidencë, kualifikimi i vazhdueshëm i personelit, mjekësor, dhe infrastruktura teknike me aparatura te gjeneratës së re, së bashku me konsultimet muldidisiplinore dhe sensibilizimin e vazhdueshëm të personelit mjekësor por edhe të popullatës do te na bënte që te ishim më të kujdesshëm në kërkesat e indikacioneve klinike të nevojshme për të kryer një ekzaminim radiologjik por edhe do të shmangimin efekte anësore dhe shtimin e parandalueshëm deri diku të pacienteve onkologjike nesër.