Koreja e Veriut kryen rundin e katërt të testeve raketore brenda një jave

Koreja e Veriut testoi të shtunën dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, thanë fqinjët e saj.

Ky është rundi i katërt i lëshimeve të armëve këtë javë, që shkaktoi një dënim të shpejtë dhe të fortë nga rivalët e saj, raportoi Associated Press të shtunën.

Në një qortim jashtëzakonisht të fortë ndaj programeve të armëve të Koresë së Veriut, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol tha se “obsesioni” i Koresë së Veriut me armët bërthamore po thellon vuajtjet e popullit të saj, dhe paralajmëroi për një “përgjigje dërrmuese” nga ushtritë e Koresë së Jugut dhe të SHBA-së kur përdoren armë të tilla.

“Koreja e Veriut nuk e ka braktisur obsesionin e saj me armët bërthamore dhe raketat, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme ndërkombëtare në 30 vitet e fundit”, tha Yoon gjatë një ceremonie të Ditës së Forcave të Armatosura në selinë ushtarake në Korenë e Jugut qendrore.

“Zhvillimi i armëve bërthamore do të zhysë jetën e popullit të Koresë së Veriut në dhimbje të mëtejshme. Nëse Koreja e Veriut tenton të përdorë armë bërthamore, do të përballet me një përgjigje të vendosur dhe dërrmuese nga Koreja e Jugut dhe SHBA-ja, aleanca dhe ushtria jonë”, ka thënë Yoon.

Komentet e Yoon mund të zemërojnë liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili në korrik pretendoi se qeveria e Yoon udhëhiqej nga “maniakë konfrontimi” dhe “gangsterë”.

Kim gjithashtu ka kundërshtuar ofertat e Yoon për ndihmë masive në këmbim të denuklearizimit. /koha