Kosova bën hapin e parë zyrtar drejt Këshillit të Evropës

Kosova ka bërë hapin e parë për aplikim për pranim në Këshillin e Evropës. Të enjten, Qeveria ka miratuar në parim nismën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Vendimi u mor në mbledhjen elektronike.

Sipas Qeverisë, vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Këshilli i Evropës që ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e dy të tretave të tyre. Shpresat për pranim janë shtuar pasi nga Këshilli i Evropës u përjashtua Rusia.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Serbia të mërkurën paralajmëroi “pasoja” nëse Kosova aplikon për pranim në Këshill të Evropës.