Kosova mban seancën stërvitore në Klagenfurt para miqësores me Maltën

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot pasdite stërvitjen e fundit para ndeshjes së dytë miqësore të këtij muaji kundër Maltës.

Dardanët kanë zbritur në “Wörthersee Stadion” pa Vedat Muriqin e Samir Ujkanin, të cilët janë lënë të lirë nga përzgjedhësi Challandes si dhe prurjen e re, Lorik Emini, i cili nuk udhëtoi me ekipin si pasojë e lëndimit të pësuar në miqësoren kundër San Marinos.

Edhe gjatë stërvitjes së sotme është vërejtur përkushtim i madh nga futbollistët dardanë, të cilët edhe në miqësoren e nesërme hyjnë me synimin për të paraqitur lojë sa më të mirë dhe për rezultat pozitiv.

Nga afër stërvitjen e Kombëtares e kanë ndjekur edhe presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Ndeshja Maltë – Kosovë, zhvillohet nesër në orën 18:00, pa praninë e tifozëve.