Kosova me naftën më të shtrenjtë dhe cilësinë më të dobët në rajon

Vjeshta e vitit 2018 po përcillet me rritjen e çmimit të derivateve të naftës, kjo si pasojë e rritjes së çmimeve në rangun global të karburanteve.

Shoferët për një litër naftë duhet të paguajnë 1.22 euro, gjegjësisht 1.23 euro për një litër benzinë dhe ky është ndër çmimet më të larta të karburanteve në vendin tonë viteve të fundit

Fadil Berjani nga ‘Shoqata e ndërmarrjeve që mirren me qarkullimin e naftës, derivate të naftës, gazrave dhe lubrifikantëve’, në një përgjigje për lajmi.net është shprehur se është një rritje e lehtë ku këto çmime aktualisht janë 1.22 euro për një litër naftë dhe 1.23 për një litër benzinë.

“Tash e një kohë të gjatë çmimin e derivateve e dikton BERZA dhe organizata e prodhuese e derivateve ‘OPEK’. Ku kur ka prodhim të shtuar çmimi është më i lirë ndërsa kur ka prodhim më të ultë çmimi i derivateve është më i lartë”, është shprehur Berjani.

Ai gjithashtu ka thënë se Kosova nuk ka rafineri ose kompani ku do të mund të dirigjonte çmimin në rajon, e madje nuk ka as rregullator ku do të kishte mundësi të rregullonte çmimin e derivateve. Gjë që rezulton në pamundësinë e uljes së çmimeve në mënyrë të shpejtë.

“Në Evropë, çmimet ndërrohen dy deri në tri herë brenda ditës sepse këtë e bëjnë të mundur sondat të instaluara nga shteti ku lexohen rezervat dhe u mundësojnë kompanive që derivatet të mos shiten me humbje. Sa i përket ekonomisë kosovare dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në rajon”, ka thënë në fund Berjani.

Ndërsa, Selatin Kaçaniku nga Organizata “Konsumatori”, ka thënë për lajmi.net se çmimi i naftës në Kosovë është prej çmimeve më të ulëta në rajon, por thotë se nëse e krahasojmë me cilësinë e karburanteve del që këto derivate mund të jenë më të shtrenjtat në rajon.

“Është prej çmimeve më të ulëta në rajon, mirëpo nëse e krahason me cilësinë e karburanteve atëherë na del se këto karburante mund të jenë më të shtrenjtat në rajon. Ajo që na brengos më së shumti është se kur çmimi ngritët në tregjet botërore siç ka ndodhur aktualisht, atëherë të gjithë i rrisin çmimet, por kur ato çmime ulen askush në Kosovë, nuk e merr mundin që ato çmime të kthehen mbrapsht”, është shprehur Kaçaniku.

Ai thotë se “kjo na jep neve të dyshojmë se ata që vendosin për tregun e karburanteve, derivateve të naftës, ndodhen jo në pompa, por ndodhen diku nëpër nivelet më të larta të qeverisë e të institucioneve.”

I pyetur nëse çmimet e naftës janë të larta nëse i krahasojmë me standardin jetësor në Kosovë, ai jep këtë përgjigje:

Nëse këto çmime i krahasojmë me ato të Bashkimit Evropian janë gati të përafërta mirëpo nëse e krahasojmë pagën mesatare tek ne është dhjetë herë më e ulët, nga kjo del se çmimet e derivateve të naftës në Kosovë në krahasim me ato të vendeve të Bashkimit Evropian janë 5 deri 10 herë më të larta.