Kosova në heshtje zgjedhore

Partitë politike mbrëmë përmbyllen fushatën pesëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen nesër në Kosovë.

Kështu që sot në vendin tonë është heshtje zgjedhore.

Nga 38 komuna, qytetarët e 21 prej tyre do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës, në mes dy kandidatëve më të votuar në raundin e parë.

Partia që garon në numrin më të madh të komunave për balotazh është Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 12 komuna.

Lidhja Demokratike e Kosovës garon në 9 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në 8, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5.

Në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar katër komuna pa balotazh. Në Mitrovicën e Jugut, Bedri Hamza ka mposhtur Agim Bahtirin e LVV-së, i cili për tetë vjet ishte kryetar i kësaj komune.

Në Ferizaj ka fituar sërish Agim Aliu, derisa PDK-ja ka arritur ta rikthejë bastionin e vetë, Skenderajn. Fadil Nura mundi kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin, që ishte kandidat i pavarur.

Kandidati i PDK-së në Hanin e Elezit, Mehmet Ballazi, ka arritur ta mposhtë kryetarin e deritanishëm të kësaj komune, kandidatin e pavarur, Rufki Suma.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur të fitojë sërish komunat në të cilat ka qeverisur. Gazmend Mahaxheri në Pejë dhe Imri Ahmeti në Lipjan, fituan në komunat ku qeverisin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka arritur të fitojë në Suharekë dhe Deçan, komuna këto të qeverisura nga kjo parti.

Bali Muharremaj në Suharekë dhe Bashkim Ramosaj në Deçan, fituan pa balotazh. Mirëpo, Ardian Gjini dështoi të marrë votat e mjaftueshme për t’u rizgjedhur kryetar në raundin e parë të zgjedhjeve.

Raundi i parë i zgjedhjeve është mbajtur më 17 tetor.