Kosova pranon 144.960 teste rapide nga Gjermania

Kosova ka pranuar një donacion të radhës të testeve rapide nga shteti i Gjermanisë.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka takuar sot ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde për të pranuar donacionin e radhës prej 144.960 mijë teste rapide nga Gjermania.

Me këtë rast ministri Vitia ka falënderuar shtetin gjerman duke thënë se “Ne jemi të nderuar të pranojmë furnizimin e 144.960 rapid testeve nga partneri ynë i vazhdueshëm, qeveria gjermane, në mënyrë që të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes pandemike në Kosovë.”

“E falënderojmë Ambasadorin për mbështetjen e ngritjes së vazhdueshme të fuqisë testuese për diagnostikim të COVID-19. Nga këtu, ne shprehim mirënjohjen tonë për ekipet mjekësore, stafin mbështetës në të gjithë vendin për punën e tyre të vështirë çdo ditë, në shërbim të shëndetit publik”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Ambasadori Rohde theksoj rëndësinë e zbulimit dhe parandalimit të infeksionit COVID-19.

“Virusi është akoma shumë i pranishëm në shoqëritë tona dhe mbetet një kërcënim. Gjermania mbetet në krah të Kosovës dhe vazhdon të mbështesë përgjigjen e qeverisë COVID-19”, tha ai.