Kosova sërish do të aplikojë për anëtarësim në UNESCO

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj bëri të ditur se Kosova do të aplikojë sërish për anëtarësim në UNESCO.

Hoxhaj këtë deklaratë e bërë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për Projektmarrëveshjen për Fondin e Ballkanit Perëndimor, raporton Telegrafi.

Ai tha se ministria po punon me intensitet për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme rajonale, por sipas tij, nëse marrëveshjet ndërkombëtare nuk kalojnë në Kuvend dhe Kosova nuk ka politikë serioze atëherë vështirë se vendi do të mund të sigurojë votat për anëtarësimin e Kosovës në këto organizata.

Ndryshe, më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova kishte dështuar të bëhet anëtare e UNESCO-s, duke mos arritur që të marrë më shumë se dy të tretat e votave të nevojshme të vendeve anëtare të kësaj organizate, të pranishme në punimet e konferencës së përgjithshme të saj.

Kosovës i munguan edhe 3 vota “për”. Paraprakisht, Kosova ishte ballafaquar me një fushatë agresive të Serbisë, e cila kishte kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.