Ballina Lajmet Kosovë Kosovarët shpenzojnë rreth 195 milionë euro në turizmin e Shqipërisë vetëm gjatë...

Kosovarët shpenzojnë rreth 195 milionë euro në turizmin e Shqipërisë vetëm gjatë fundjavave në sezonin maj–tetor

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), bazuar në studimin e realizuar gjatë periudhës 28 maj – 28 qershor 2026, konstaton se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë investitorët dhe konsumatorët më të mëdhenj të turizmit në Shqipëri.

Studimi i AKB-së, i cili përfshin pesë fundjava radhazi, tregon se mesatarisht rreth 25 mijë qytetarë nga Kosova kalojnë fundjavën në Shqipëri.

Gjatë një qëndrimi prej 2–3 netësh, ata shpenzojnë mesatarisht të paktën 300 euro për person, duke përfshirë akomodimin, gastronominë, pijet, transportin, derivatet e naftës, taksën rrugore, argëtimin dhe blerjet.

Bazuar në këto të dhëna, rezulton se çdo fundjavë qytetarët e Kosovës shpenzojnë rreth 7.5 milionë euro në ekonominë shqiptare. Duke marrë për bazë sezonin turistik 1 maj – 30 tetor 2026, i cili përfshin 26 fundjava, rezulton se shpenzimet totale arrijnë në rreth 195 milionë euro, vetëm nga vizitat e fundjavës, pa përfshirë pushimet disa ditore apo javore gjatë verës.

AKB vlerëson se këto shifra dëshmojnë qartë se Kosova është partneri dhe tregu më i rëndësishëm për turizmin shqiptar, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e hotelerisë, gastronomisë, tregtisë, transportit dhe sektorëve të tjerë shërbyes.

Aleanca Kosovare e Bizneseve konsideron se është koha që ky bashkëpunim ekonomik të thellohet përmes investimeve të përbashkëta në turizëm, përmirësimit të infrastrukturës, lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, krijimit të ofertave të përbashkëta turistike dhe politikave që nxisin investimet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Turizmi nuk është vetëm një sektor ekonomik, por edhe një urë që forcon lidhjet kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve në të dyja shtetet.

Agim Shahini, Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), deklaroi se Studimi ynë dëshmon qartë se qytetarët e Kosovës janë mbështetësit më të mëdhenj të turizmit shqiptar. Rreth 195 milionë euro që shpenzohen vetëm gjatë 26 fundjavave të sezonit maj–tetor përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm për ekonominë e Shqipërisë. Ky është një partneritet ekonomik që duhet të vlerësohet, të mbështetet dhe të zhvillohet më tej përmes politikave të përbashkëta, investimeve strategjike dhe krijimit të kushteve edhe më të favorshme për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe bizneseve. Kur fiton turizmi shqiptar, fitojnë edhe bizneset dhe qytetarët në të dy anët e kufirit.