Kosovë, KFOR-i turk kontribuon në riparimin e sallës sportive të një shkolle në Ferizaj

Kryesia e delegacionit turk që është me detyrë në kuadër të Misionit të Forcave Paqësore të Kosovës (KFOR) ka bërë riparimin e sallës sportive të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në qytetin Ferizaj të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë për hapjen e sallës sportive të organizuar në shkollë morën pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, kryetari i Komunës së Ferizajit, Agim Aliu, kryetari i delegacionit turk në misionin e forcave paqeruajtëse (KFOR) në Kosovë, Fatih Cansız, Drejtori i Institutit Yunus Emre Prishtinë, Mehmet Ülker, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Cihan Dinçer si dhe mësuesit dhe nxënësit e shkollës.

Ambasadori Sakar në fjalimin e tij në ceremoni tha se Turqia do të vazhdojë të bëjë përpjekjet e nevojshme për zhvillimin dhe forcimin e Kosovës mike dhe vëllazërore në çdo fushë.

“Është e rëndësishme që arsimi në Kosovë, një vend dinamik me popullsi të re, të jetë cilësor. Për arsim cilësor dhe një jetë të lumtur mësimore, besoj se duhet të forcohen mundësitë dhe infrastruktura e shkollave si dhe interesimi, toleranca dhe orientimi që mësuesit dhe prindërit u tregojnë nxënësve. Në këtë aspekt, shpresoj se projekti që kemi hapur do të kontribuojë në arsimimin e studentëve tanë kosovarë”, u shpreh ai.

Kryetari i Komunës së Ferizajit, Aliu duke falënderuar Turqinë për mbështetjen në çdo fushë tha: “Faleminderit shumë zotëri ambasador, përmes jush po besoj se jemi duke falënderuar të gjitha autoritetet e Republikës së Turqisë të cilët në momentet më të dhimbshme për qytetin tonë por edhe për Republikën e Kosovës ju keni gjetur afër gjithë familjarëve të cilit ishin në nevojë në ditët më të vështira të tyre”.

Pas fjalimeve të ftuarit e prenë shiritin e hapjes së projektit të rinovimit të sallës sportive.

Në kuadër të projektit salla u rinovua, u furnizua me pajisje sportive, u ndryshuan xhamat dhe dritaret si dhe është lyer pjesa e brendshme e sallës.