Kosovë, përurohet restaurimi i Xhamisë “Alauddin” në Prishtinë – VIDEO

Në Prishtinë është përuruar restaurimi i Xhamisë “Alauddin”, mundësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve e Turqisë, raporton Anadolu.

Në ceremoninë solemne të inaugurimit, ku të pranishmëve përmes një video-mesazhi iu drejtua presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, morën pjesë zv/ministri i Kulturës dhe Turizmit i Türkiyes, Serdar Çam, Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, si dhe mysafirë të tjerë.

Presidenti Erdoğan, i cili u informua për punën nga zv/ministri Çam, përshëndeti pjesëmarrësit që erdhën në vendin e ceremonisë.

Zv/ministri Çam gjatë dhënies së informacionit për punën, ndër tjerash, njoftoi se xhamia e restauruar në Prishtinë u ndërtua rreth 500 vjet më parë.
“I nderuar president, në kuadër të udhëzimeve që dhatë për ringjalljen dhe restaurimin e Xhamisë Emir Alauddin, e cila u ndërtua rreth 500 vjet më parë, ajo u ringjall si rezultat i punës së kujdesshme të kryer nga Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve, me kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe mbështetjen e Republikës së Kosovës dhe iu dorëzua Bashkësisë Islame të Kosovës për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm”, tha Çam.

Ceremonia përfundoi me vizitën e të ftuarve në xhaminë e restauruar. Restaurimi i kësaj xhamie, që u realizua për rreth tre vite, përfshinë pjesën e brendshme dhe atë të jashtme të xhamisë, banjot dhe abdeshanen, si dhe oborrin e xhamisë.

Xhamia “Alauddin” (Emir Alaeddin), e cila gjendet në një nga lagjet e vjetra të kryeqytetit kosovar, u ndërtua në gjysmën e parë të shekullit të XVl. Kjo lagje që sot quhet “Vellusha” dikur njihej me emrin e xhamisë, si lagjia Alauddin

Për shkak të vjetërsisë së ndërtimit të saj, xhamia “Alauddin” ndër vite është restauruar disa herë. Për herë të parë, ajo u renovua në vitin 1987 e më pas në vitin 1997.