Kovaçevski: Anëtarësimi i plotë në BE, interes strategjik i Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka theksuar se anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian (BE) është i interesit strategjik për vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këtë koment, sipas një njoftimi të qeverisë, Kovaçevski e ka bërë në seancën për çështje parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Ai ka bërë të ditur se procesi i skriningut po zhvillohet me ritmet e pritura dhe si vend duhet ta ruajnë këtë dinamikë gjatë gjithë procesit të negociatave me BE-në.

“Unë vura një qëllim ambicioz, por jo të pamundur, anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2023, prandaj duhet të kemi vazhdimësi, vullnet të fortë, përkushtim dhe ta bëjmë atë, jo për hir të Bashkimit Evropian, por për hir të qytetarëve tanë”, ka thënë Kovaçevski.

Sipas tij, deri më tani komentet nga Komisioni Evropian janë të shkëlqyera.

“Ne jemi fuqimisht të përkushtuar për harmonizimin e ligjit dhe rregulloreve të Bashkimit Evropian me synimin për anëtarësim të plotë. Por më e rëndësishmja, përgatitja dhe rritja e konkurrencës me synimin e një tranzicioni më të shpejtë në tregun e vetëm të BE-së, për të cilin kjo kategori është veçanërisht e rëndësishme, sepse përmban përafrimin me katër liritë themelore – të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit – që është bazamenti i Marrëveshjes për themelimin e Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.

Kovaçevski ka thënë se ky vit është viti që në nivel evropian duhet të sjellë përfundimin e plotë të procesit të skriningut dhe progresin e reformave.

Ai ka nënvizuar se qeveria është e vendosur që të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që vendi të bëhet anëtar i besueshëm i familjes evropiane.

“Kjo është mundësia jonë historike që e kemi pritur prej kohësh dhe tani që kemi mundësinë nuk duhet ta humbim. Negociatat me Bashkimin Evropian janë një mundësi për të transformuar dhe reformuar vendin tonë nga themeli, për t’u ofruar qytetarëve tanë kushte evropiane për të jetuar dhe punuar këtu në shtëpi. Unë e shoh këtë proces si mekanizmin më të mirë për zbatimin e reformave që do të kontribuojnë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e një shoqërie të pjekur me institucione të forta dhe efikase. Mendoj se duhet të vazhdojmë me reformat, të vetëdijshëm se anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është interesi ynë strategjik, të cilin mund ta arrijmë shumë shpejt, me angazhimin e të gjitha palëve relevante dhe me përgjegjësinë përfundimtare të të gjitha partive politike”, ka deklaruar ai.

Kryeministri Kovaçevski ka theksuar se disa vendime duhet të merren për hir të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe se e ardhmja e tyre është përpara të gjitha dallimeve politike dhe ideologjike.