KQZ-ja u ofron mundësi personave të verbër të votojnë përmes shabllonëve me shkrimin Brail

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka priti sot në takim kryetarin e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu dhe drejtorin e qendrës së ofrimit të shërbimeve në këtë shoqatë, DautTishuku.

Në konferencën e përbashkët u bë e ditur se edhe në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u mundësojë të votojnë edhe të gjithë atyre qytetarëve me të drejtë vote e që janë të verbër dhe me tëpamur të dobësuar.Votimi në mënyrë të pavarur dhe nëkonfidencialitet të plotë, edhe për këtë kategori, mundësohet përmes shabllonëve në shkrimin e Brailit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka prezantoi para mediave formën e shabllonit në shkrimin Brail, i cili do të dërgohet në çdo Qendër Votimi, në 889 sosh në të gjithë Republikën e Kosovës.

Shabllonët në shkrimin Brail janë të shtypur në atë mënyrë që fletëvotimi të vendoset në të dhe pasi të përfundojë votimin, ta nxjerrë atë nga shablloni, ta palos dhe ta hedhë në kutinë e votimit.

Kryetarja Daka u shpreh se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nga viti 2009 u mundëson të gjithë qytetarëve me të drejtë vote nga kjo kategori votim të pavarur dhe të fshehtë dhe është shprehje e përkushtimit të institucionit tonë që të gjithë qytetarëve t’u ofrojë shërbime sipas nevojave të tyre.

Ndërsa, z. Kadriu dhe z. Tishuku falënderuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për ofrimin e kësaj mundësie.

Shabllonët në shkrimin Brail janë të shtypur në atë mënyrë që fletëvotimi të vendoset në të dhe pasi të përfundojë votimin, ta nxjerrë fletëvotimin nga shablloni, ta palos dhe ta hedhë në kutinë e votimit.

Gjithashtu, në çdo Qendër Votimi do të jetë edhe Lista e Kandidatëve të Subjekteve Politike në shkrimin e Brailit, ku qytetarët me të drejtë vote të kësaj kategorie të mund të informohen për kandidatët dhe subjektet politike që janë në garë.