KQZ: Po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet në veri, i kemi parasysh sfidat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shtyrë mbledhjen e së martës për të mërkurën, pasi siç tha zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, anëtarët e KQZ-së kërkuan më shumë informacione rreth operacionit zgjedhor.

Elezi deklaroi para mediave se KQZ-ja po i vazhdon përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të vendit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i vazhdon përgatitjet në kuadër të planifikimeve. I kemi parasysh edhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces zgjedhor. Jemi të përkushtuar t’i përmbushim detyrat tona kushtetuese dhe ligjore për planifikimet po bëhen në bazë të dinamikës. Për qendrat e votimit, në mbledhjen e radhës do të miratohet lista e vendvotimeve. Jemi duke i kryer detyrat tona kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, shtoi zëdhënësi i KQZ-së.