Krasniqi pas takimit me Lajçakun: Na u tha që drafti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën

Kryetari i Partisë Demokratiket të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se nga ai kanë marrë garanci se drafti i propozuar për Asociacionin i propozuar nga BE dhe SHBA nuk kalon përtej Kushtetutës.

Ai ka thënë se në këtë takim nuk patën mundësi ta shohin këtë draft, duke thënë se duhet të ketë më shumë transparencë.

“Në terma të përgjithësuar shprehu qëndrimin e shteteve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të tjerë që draft i Asociacionit, që i është propozuar Qeverisë është një draft që është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk shkon përtej vijave të kuqe. Por fatkeqësisht ne nuk patëm mundësi që ta konsultojmë atë tekstin integral. Nga ana ime shpreha qëndrimin e PDK-së që ka qenë dhe vazhdon të mbetet konsistent që ne besojmë që duhet të ketë një vendosmëri më të madhe për të shkuar përpara në proces, por mbi të gjitha të ketë më shumë transparencë sepse nuk po flasim thjeshtë për një marrëveshje në mesin e dhjetëra marrëveshjeve që janë nënshkruar e diskutuar në të kaluarën por, po flasim për një nga pjesët më kontraverse që janë diskutuar e kanë prekupuar skenën politike të Kosovës me vite më radhe pra draftin për themelimin e Asociacionit”, tha Krasniqi, përcjell teve1.info

Krasniqi tha se në këtë takim ka kërkuar që të hiqen masat ndaj Kosovës.