Krerët e shtetit urojnë Pavarësinë, kujtojnë të rënët

Krerët e shtetit të Kosovës kanë uruar qytetarët e vendit në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë. Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar këtë ditë si më kulmoren që ka pasur ndonjëherë populli i Kosovës, ndërsa bashkë me kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentarin Glauk Konjufca kanë kujtuar të rënët për lirinë e Kosovës.

“Edhe në këtë ditë si në çdo ditë të punës e përpjekjeve tona, dua ta shfrytëzoj për t’i falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë gjithçka për të pasur atë që kemi sot. Duke filluar nga vizioniari dhe arkitekti i shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova që diti ta qartësojë vullnetin e qytetarëve para botës dhe duke vazhduar mbi 3 mijë dëshmorë që flijuan veten e tyre për të qenë sot të lirë, të udhëhequr nga familja Jashari”, ka thënë ajo duke vazhduar se vetëm kur ka unifikim drejt qëllimeve Kosova mund të ketë sukses.

Ajo ka falënderuar edhe shtetet partnere të Kosovës që i kanë qëndruar afër shtetit.

Ditë më të rëndësishme të Republikës e ka konsideruar 17 Shkurtin kryeparlamentari Konjufca, ndërsa kryeministri Kurti ka thënë se “pos urimeve s’ka se si të mos kujtohen ata që luftuan e u flijuan për pavarësinë e vendit”.