Kriza ekonomike, gjysma e evropianëve thonë se standardet e tyre të jetesës janë në rënie

Kriza e kostos së jetesës e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, kriza e energjisë, rritja e inflacionit dhe pandemia e koronavirusit është bërë shqetësimi më i madh për qytetarët e Bashkimit Evropian, sipas një sondazhi të ri që tregon se 45% e të anketuarve aktualisht kanë “disa” ose “shumë” vështirësi me të ardhurat e tyre personale.

46% e evropianëve pranojnë se standardet e tyre të jetesës tashmë janë ulur si rezultat i krizave në rritje, ndërsa 39% presin të shohin një rënie gjatë këtij viti.

Vetëm 14% prej tyre nuk ​​parashikojnë asnjë lloj ndryshimi apo ndikimi në financa. Vendet ku rënia e perceptuar e standardit të jetesës ka qenë më e theksuar janë Qiproja, Greqia, Malta, Franca dhe Portugali.

Njerëzit në vendet nordike janë më të kënaqur me të ardhurat e tyre aktuale.

Por më shqetësues është fakti se 39% e të anketuarve pranojnë se kanë vështirësi të paguajnë faturat e tyre mujore. Greqia dhe Bullgaria raportojnë pjesën më të madhe të popullsisë që kalon këtë lloj vështirësie, me përkatësisht 86% dhe 64%.

Në përgjithësi, 56% e evropianëve shprehin pakënaqësi me masat e marra në nivel të BE-së për të trajtuar kostot në rritje të jetesës, ndërsa 64% mendojnë të njëjtën gjë për veprimet e qeverive të tyre kombëtare.

Në total, 93% e pjesëmarrësve në sondazh thonë se janë të shqetësuar për krizën e kostos së jetesës, duke përfshirë rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Ky sondazh i publikuar nga Parlamenti Evropian të enjten në mëngjes, bazohet në më shumë se 26,000 intervista ballë për ballë të kryera midis tetorit dhe nëntorit në të 27 vendet anëtare. /tch