Kroacia e pranon se policia ktheu mbrapsht migrantët në kufi me Bosnjën

Ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, ka konfirmuar të premten se zyrtarët policorë kanë kthyer mbrapsht migrantët në kufi me Bosnje-Hercegovinën, disa orë pasi kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq ka thënë se përdorimi i dhunës kundër migrantëve është gjë e “turpshme”.

Agjencia shtetërore e lajmeve Hina, ka cituar ministrin Bozhinoviq të ketë thënë se ai pret më shumë hollësi në këtë çështje nga shefi i Policisë kroate, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Shefi i Policisë ka krijuar menjëherë një ekip ekspertësh, të cilët kanë punuar pa pushim dhe sa e di, kanë ardhur në përfundim se ka pasur zyrtarë policorë të përfshirë”, ka thënë ai në margjina të një takimi të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, që po mbahet në Luksemburg.

Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi, derisa të enjten ka thënë se policia kufitare kroate ka vepruar në linjë dhe ligjin dhe nuk ka toleruar abuzim të autoritetit.

Disa media evropiane kanë raportuar këtë javë se zyrtarë grekë dhe kroatë kanë kthyer mbrapsht migrantët, ndonjëherë edhe dhunshëm.

Zyrtarë të lartë të BE-së kanë bërë thirrje të enjten për hetime.

Greqia ka thënë më herët gjatë së premtes së do të hetojë akuzat.

Organizatat joqeveritare në Kroaci dhe Bosnje, kanë paralajmëruar në disa raste viteve të fundit për kthim ilegal të migrantëve në kufirin mes Bosnjs dhe Kroacisë.

Komisionarja e BE-së për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, ka thënë se vendet e BE-së duhet të mbrojnë kufijtë e jashtëm të bllokut evropian, por edhe duhet të zbatojnë vlerat, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Sipas ligjit ndërkombëtar, migrantët kanë të drejtë të kërkojnë azil dhe është e paligjshme që ata persona të kthehen në vendet ku jeta e tyre mund të rrezikohet. /rel