Kryebashkiaku i New Yorkut kërkon nga presidenti Biden të përshpejtojë lejet e punës për azilkërkuesit

Kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden që të përshpejtojë autorizimin e lejeve të punës për azilkërkuesit në qytet, transmeton Anadolu.

“Lërini të punojnë. Jepuni atyre mundësinë për të kontribuar në shoqërinë tonë”, tha Adams në një konferencë për media në një tubim ku morën pjesë zyrtarë të sindikatave, drejtues të tjerë të qytetit dhe disa emigrantë.

“Ne po themi se duhet të përshpejtojmë vizat e punës. Është thjesht ndjenjë e shëndoshë. Mijëra vende pune janë në dispozicion për t’u plotësuar, për të ofruar shërbimet që na duhen në qytet, në këtë shtet, në këtë vend”, tha Adams.

Sipas kryebashkiakut, rreth 100 mijë emigrantë kanë mbërritur në qytet që nga pranvera e kaluar.

“Emigrantët duan të punojnë, por nuk munden. Ata duan të bëhen të pavarur, por nuk munden. Ata duan të bëjnë një jetë më të mirë për veten e tyre, por nuk munden. Pse? Sepse zyrtarët e qytetit kanë kërkuar autorizime të përshpejtuara të punës nga qeveria federale, por ata nuk kanë marrë përgjigje. Njujorkezët kanë nevojë për përgjigje dhe rezultate dhe ne kemi nevojë për to tani”, tha Adams.

Udhëheqja e Këshillit të New York-ut gjithashtu i bëri thirrje qeverisë federale që të përshpejtojë lejet e punës së emigrantëve.

“Derisa një numër në rritje i njerëzve që kërkojnë azil në SHBA mbërrijnë në qytetin tonë, është kritike që ata të lejohen të punojnë ligjërisht për të mbështetur veten, familjet e tyre dhe qytetin tonë”, thuhet në një deklaratë nga Këshilli.

Dje, guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, u takua me zyrtarë të administratës së presidentit Biden, ku kërkoi më shumë mbështetje pasi i bëri thirrje publikisht presidentit për autorizime më të shpejta të punës. Ajo u largua nga takimi me shpresë, por e pakënaqur, duke e konsideruar ndihmën e pamjaftueshme për të trajtuar plotësisht krizën.