Kryediplomati egjiptian: Egjipti gjithmonë do të jetë pranë vëllezërve të tij në Turqi

Ministri i Punëve të Jashtme i Egjiptit, Sameh Shoukry, theksoi se vendi i tij gjithmonë do të qëndrojë pranë vëllezërve të tij në Turqi dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve pas kësaj do të arrijnë në nivelin më të mirë, raporton Anadolu.

Shoukri dhe homologu i tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve me rastin e arritjes së anijes egjiptiane “Al Hurriyah” me ndihma humanitare në Portin Ndërkombëtar të Mersinit.

“Ardhja jonë këtu, në fakt, është një mesazh i miqësisë dhe solidaritetit. Si qeveri dhe popull egjiptian besojmë përzemërsisht se Turqia së shpejti do të tejkalojë këto (pasojat e tërmetit)”, tha ai, duke shtuar se vendi tij do të vazhdojë ndihmat ndaj Turqisë.

Sipas tij, ekziston një vullnet politik për marrëdhëniet mes Egjiptit dhe Turqisë, ndërsa tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e formimit të një themeli shumë të fuqishëm në kuadër të këtij vullnetit politik.

Ai theksoi se i kushtojnë rëndësi çështjes së rikthimit të marrëdhënieve mes dy vendeve sërish në nivelin e mëparshëm dhe në përputhje me interesin e përbashkët të të dyja vendeve.

“Egjipti gjithmonë do të jetë pranë vëllezërve të tij në Turqi. Besoj se edhe marrëdhëniet tona pas kësaj do të arrijnë në nivelin më të mirë”, u shpreh Shoukri.

Egjipti Turqisë deri më tani i ka dërguar mbi 1.200 tonë ndihma.

Çavuşoğlu: Zhvillimi i marrëdhënieve mes Turqisë dhe Egjiptit është në dobi të të dyja palëve

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se zhvillimi i marrëdhënieve mes Turqisë dhe Egjiptit është në dobi të dyja palëve, raporton Anadolu.

Çavuşoğlu dhe homologu i tij egjiptian, Sameh Shoukry, u prononcuan për mediumet nga Porti Ndërkombëtar i Mersinit, ku arriti anija “Al-Hurriyah” me ndihmat e Egjiptit për zonat e tërmetit në Turqi.

Kryediplomati turk falënderoi Egjiptin dhe popullin për ndihmat e dërguara, duke theksuar se ndihmat nga Egjipti kanë ardhur menjëherë pas tërmetit.

“Anija e parë (nga Egjipti) dorëzoi një sasi të konsiderueshme të ndihmës humanitare”, njoftoi Çavuşoğlu, duke shtuar se gjithashtu erdhën edhe ndihma nëpërmjet kargos ajrore nga populli egjiptian dhe ndihma të shtetasve dhe kompanive turke që shërbejnë në Egjipt.

Ai tha se me anijen e sotme në Turqi kanë arritur rreth 520 mijë tonë ndihma shtesë që përmbajnë ushqim, veshmbathje, strehim dhe pajisje mjekësore.

Sipas tij, miqësia dhe vëllazëria mund të shihet në kohë të vështira. “Shteti i Egjiptit dhe populli i Egjiptit në këto kohë të vështira treguan se janë miku dhe vëllau i Turqisl dhe i popullit turk. Dua të falënderoj edhe njëherë”, tha ai.

Mes të tjerash, kryediplomati turk theksoi se në marrëdhëniet me Egjiptin janë hapur faqe të reja, duke rikujtuar se takimi mes presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe atij egjiptian Abdel Fattah El-Sisi në Doha ka qenë tejet i frytshëm.

Ai tha se me homologun e tij në aeroportin e Adanës kanë trajtuar hapat për t’i zhvilluar këto marrëdhënie.

“Zhvillimi i marrëdhënieve mes Turqisë dhe Egjiptit është në dobi të dyja palëve, por jo vetëm të të dyja vendeve, por është gjithashtu shumë i rëndësishëm edhe për stabilitetin, qetësinë dhe zhvillimin e rajonit tonë. Ashtu siç theksova edhe në periudhën kur marrëdhëniet tona ishin të ftohta, Egjipti është një vend i rëndësishëm për Mesdheun, botën arabe, botën islame, Palestinën, Afrikën, për ne. Është në dobi të të gjithëve që Egjipti të jetë i fuqishëm. Unë jam i bindur se do të vazhdojmë së bashku që marrëdhëniet tona t’i sjellim në një nivel shumë më të mirë”, theksoi Çavuşoğlu.