Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Turqisë mbështetje për përpjekjet e vendit të tij për të siguruar qasje në det, duke e cilësuar këtë si një fokus qendror të bisedimeve gjatë vizitës në Addis Ababa të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, raporton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin turk, Abiy tha se diskutoi “kërkesën e Etiopisë për qasje në det” dhe përshëndeti diskutimet e forta dhe konstruktive mbi këtë çështje.
Etiopia, e cila është pa dalje në det që nga pavarësia e Eritresë në vitin 1993, e ka përshkruar vazhdimisht sigurimin e një qasjeje të besueshme detare si një përparësi strategjike.
Vizita e presidentit Erdogan shënoi një udhëtim të rrallë të nivelit të lartë, në të cilin, ndër të tjerë, morën pjesë edhe ministrat turq të jashtëm dhe të mbrojtjes dhe vjen në një kohë kur të dy vendet synojnë thellimin e lidhjeve ekonomike dhe politike në prag të 100-vjetorit të marrëdhënieve që nisën në vitin 1926.
Liderët diskutuan zgjerimin e marrëdhënieve tregtare, ndërsa zyrtarët etiopianë thanë se të dyja palët synojnë ta rrisin tregtinë në të paktën 1 miliard dollarë.
Abiy gjithashtu inkurajoi rritjen e investimeve nga kompanitë turke në Etiopi, e cila tashmë strehon një nga përqendrimet më të mëdha të bizneseve turke në Afrikën sub-sahariane, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe ndërtimit.
Të dyja palët diskutuan edhe bashkëpunimin në forume ndërkombëtare, përfshirë negociatat klimatike të lidhura me konferencën COP31, që do të mbahet në Turqi vitin e ardhshëm dhe më pas në Etiopi.
Turqia ka rritur angazhimin e saj diplomatik në Bririn e Afrikës në vitet e fundit, duke u pozicionuar si një partner kyç në tregti, zhvillim dhe përpjekje ndërmjetësimi në mosmarrëveshjet rajonale.
Abiy i përshkroi takimet si të suksesshme dhe frytdhënëse, duke shtuar se Ankaraja e njeh rëndësinë strategjike të Etiopisë në rajon.

