Kryeministri Hoti pret në takim policët e plagosur në detyrë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka pritur në takim policët e plagosur në krye të detyrës, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj, të kthyer nga trajtimi mjekësor jashtë vendit.

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se simbolikisht sot takohen “me të gjithë ata policë që janë lënduar në krye të detyrës, si shenjë respekti që ka Kosova për ata të cilët kanë rrezikuar jetën për sigurinë e qytetarëve”.

“Sot, i kemi takuar për t’ju treguar që do t’ju qëndrojmë gjithmonë afër, me mundësitë që i ka shteti i Kosovës. Biseduam edhe me ministrin që do të kujdesemi që në mënyrë institucionale t’i rregullojmë njëherë e përgjithmonë këto çështje përmes Ligjit për sigurimin e jetës dhe shëndetit të policëve dhe Ligjit për pensionim të parakohshëm, në mënyrë që policët që lëndohen, që bien në krye të detyrës, familjet e tyre, të mos ndihen të ngarkuara, por atë barrë ta marrë shteti”, theksoi kryeministri Hoti.

Hoti i quajti heronj të kohës moderne policët ngase “çdo ditë që dalin në rrugë e rrezikojnë jetën e tyre duke tentuar ta ruajnë jetën e zyrtarit shtetëror, sigurinë e institucioneve ose sigurinë e qytetarëve në përgjithësi”.

Ndryshe polici Jetmir Hasanaj dhe Artur Mrasori u plagosën gjatë një aksioni policor në fshatin Zhur të Prizrenit.

Polici Jetmir Hasanaj nuk ka qenë në rrezik për jetën, ndërsa Artur Mrasori ka qëndruar në Turqi që nga data 31 janar 2020 deri në fillim të muajit shtator me mbështetje nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës për shkak të lëndimeve të rënda që kishte marrë më 28 janar në aksionin në fjalë, kur mbeti i lënduar pas një shpërthimi të eksplozivit. Plagëve të marra nga aksioni i njëjtë nuk u kishte mbijetuar kolegu i tij, polici Sami Thaqi.

Gjatë takimit, kryeministri Hoti për policët e lënduar ndau mirënjohje, në shenjë respekti për punën dhe përkushtimin e tyre gjatë kryerjes së detyrës zyrtare për ruajtjen e rendit publik.