Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka riafirmuar kundërshtimin e tij ndaj ndihmës financiare të BE-së për Ukrainën duke thënë se Budapesti do ta mbajë bllokimin e tij derisa nafta ruse të rifillojë rrjedhën në Hungari përmes tubacionit ”Druzhba” përmes Ukrainës.
Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa, të cilën Orban e publikoi edhe në mediat sociale, ai shkroi se “faktet janë fakte. Nuk ka pengesa teknike për të rifilluar transferimin përmes tubacionit ‘Druzhba’ në Hungari. Kërkon vetëm një vendim politik nga Ukraina”.
Furnizimet e naftës nga Rusia në Hungari përmes tubacionit janë ndalur që nga fundi i janarit.
Zyrtarët ukrainas thonë se ndërprerja u shkaktua nga dëmet nga sulmet ruse.
Megjithatë, qeveria hungareze argumenton se tubacioni mbetet i paprekur dhe akuzon Kievin për bllokimin e rrjedhës për arsye politike.
Orbán e përshkroi situatën si absurde.
“Ju gjithashtu e shihni absurditetin e situatës. Ne marrim një vendim financiarisht të favorshëm për Ukrainën që unë personalisht nuk e miratoj, pastaj Ukraina krijon një situatë emergjence energjieike në Hungari dhe ju më kërkoni të pretendoj sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kjo nuk është e mundur”, i shkroi ai Costas.
“Nuk jam në pozicion për të mbështetur asnjë vendim të favorshëm për Ukrainën derisa të kthehen në normalitet”, theksoi ai.
Orban ka mbajtur prej kohësh lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, ai është përpjekur të bllokojë sanksionet e BE-së kundër Moskës dhe ndihmën financiare për Kievin.
Këtë javë, Hungaria dhe Sllovakia refuzuan të miratojnë paketën e 20-të të sanksioneve të BE-së për Rusinë dhe një plan ndihme financiare prej 90 miliardë eurosh (105 miliardë dollarë) për Ukrainën.






