Kryeministri i Etiopisë dorëzon kompetencat dhe shkon në front për të luftuar ndaj rebelëve

Abiy Ahmed

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, i dorëzon kompetencat zëvendësit të tij dhe shkon në front për të luftuar kundër Frontit Çlirimtar të Popullit Tigray (TPLF), i cili ka filluar rebelimin kundër qeverisë qendrore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i qeverisë, Legesse Tulu, në një deklaratë për gazetarët njoftoi se kryeministri 45-vjeçar, Ahmed, fitues i Çmimit Nobel për Paqe, ka mbërritur dje në front.

Për arsye sigurie, duke mos ndarë informacione lidhur me vendndodhjen e saktë të kryeministrit Ahmed, zëdhënësi Tulu informoi se nuk do të publikojë ndonjë pamje ose fotografi për këtë çështje.

Ndërsa zv.kryeministri Demeke Mekonnen i cili ka marrë kompetencat, do të vazhdojë të drejtojë qeverinë nga kryeqyteti Addis Ababa.

Qeveria e Etiopisë më 2 nëntor shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend për shkak të sulmeve kryengritëse të TPLF-së që vazhduan përparimin e tyre në veri.

Ndërkohë, në kryeqytetin Addis Ababa u krijuan forcat e mbrojtjes kundër sulmeve të mundshme nga TPLF.

Konfliktet që vazhdojnë prej më shumë se 1 vit në veri të vendit kanë zhvendosur rreth 2,5 milionë njerëz dhe më shumë se 5 milionë njerëz në rajon kanë nevojë për ndihmë urgjente. /aa