Kryeministri i Indisë, Narendra Modi mbërriti sot në Izrael për një vizitë dyditore gjatë së cilës do të takohet me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu ndërsa do t’i drejtohet Parlamentit izraelit (Knessetit), transmeton Anadolu.
Modi pritet gjithashtu të takohet me presidentin izraelit Isaac Herzog gjatë vizitës, e dyta e tij në Izrael që nga viti 2017.
Në një deklaratë para se të nisej për në Tel Aviv, kryeministri indian tha se vizita shtetërore do të “konsolidojë më tej lidhjet e qëndrueshme” midis Indisë dhe Izraelit.
“Ajo do të vendosë qëllime të reja për partneritetin strategjik dhe do të përparojë vizionin tonë të përbashkët për një të ardhme të qëndrueshme, inovative dhe të begatë”, shtoi Modi.
Sipas deklaratës, Modi dhe Netanyahu pritet të diskutojnë për shkencën dhe teknologjinë, inovacionin, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, mbrojtjen dhe sigurinë, tregtinë dhe investimet.
Të dy do të “shkëmbejnë pikëpamje mbi çështjet rajonale dhe globale me interes të ndërsjellë”.
Aktualisht të dy palët po zhvillojnë raundin e parë të negociatave mbi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë Indi-Izrael.
India dhe Izraeli janë partnerë strategjikë. Në vitin 2022 të dy vendet shënuan 30 vjet që nga ngritja e marrëdhënieve në marrëdhënie të plota diplomatike dhe vëllimi tregtar dypalësh midis dy vendeve arriti në 3.62 miliardë dollarë në vitin 2024.



