Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri i Mongolisë jep dorëheqjen pas humbjes së votëbesimit në parlament

Kryeministri i Mongolisë jep dorëheqjen pas humbjes së votëbesimit në parlament

Kryeministri i Mongolisë, Oyun-Erdene Luvsannamsrai


Protestat dhe skandali me shpenzimet e të birit çuan në krizë qeveritare

Kryeministri i Mongolisë, Oyun-Erdene Luvsannamsrai, ka dhënë dorëheqjen të martën, pasi nuk arriti të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme në një votëbesim parlamentar, kanë raportuar mediat vendase. Lajmi është konfirmuar gjithashtu nga ambasada mongole në Uashington.

Sipas faqes së lajmeve ikon.mn, Oyun-Erdene mori vetëm 44 vota, ndjeshëm më pak se 64 votat e nevojshme për të qëndruar në detyrë.

Vota e besimit erdhi pas javësh protestash masive në kryeqytetin Ulan Bator, të nxitura nga raportimet për shpenzime luksoze të djalit të kryeministrit, që ndezën zemërim në opinionin publik. Shumë qytetarë dhe figura politike kërkuan dorëheqjen e tij.

Para votës, Oyun-Erdene paralajmëroi se rrëzimi i tij mund të sjellë pasiguri politike dhe rrezik për demokracinë e brishtë të vendit.

“Nëse qeverisja bëhet e paqëndrueshme, gjendja ekonomike përkeqësohet dhe partitë politike nuk gjejnë konsensus, qytetarët mund të humbasin besimin te sistemi parlamentar dhe kjo mund të çojë në kolaps të demokracisë sonë,” tha ai në një fjalim para parlamentit.

Ai mbrojti integritetin e tij personal, por pranoi se kishte bërë një gabim, duke thënë se ishte përqendruar më tepër në projektet madhore dhe kishte lënë pas dore çështjet sociale dhe politike të brendshme.

Oyun-Erdene kishte qëndruar në post për katër vite dhe më parë kishte mbijetuar ndaj disa thirrjeve për dorëheqje.

Vitin e kaluar, parlamenti mongol kaloi në 126 anëtarë nga 76, pas reformave zgjedhore që sollën krijimin e një qeverie koalicioni – një zhvillim që ka komplikuar më tej klimën politike në vendin e pasur me burime minerare. /mesazhi