Kryeministri Kurti pritet në takim nga Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz

Pas samitit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Vjenë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Kancelari Federal i Austrisë, Sebastian Kurz.

U bisedua për rëndësinë e partneritetit mes Kosovës dhe Austrisë dhe zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale. Austria është investitori i pestë më i madh në Kosovë dhe bashkëpunimi ekonomik në mes dy vendeve po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Kryeministri u shpreh i gatshëm dhe me vullnet të plotë që dy vendet të punojnë edhe më përsëafërmi në këtë drejtim.

Kryeministri Kurti falënderoi kancelarin Kurz për mbështetjen e Austrisë për Republikën e Kosovës në të gjitha aspiratat e saj ndërkombëtare, duke përfshirë këtu procesin e integrimit në BE, organizata ndërkombëtare dhe veçanërisht në lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Kryeministri Kurti po ashtu e falënderoi kancelarin Kurz për ndihmën e ofruar nga Austria përgjatë gjithë ballafaqimit me pandeminë Covid-19 dhe për sigurimin e vaksinave kundër pandemisë për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Mes temave të takimit ishte dhe sistemi i arsimit, përkatësisht reforma dhe zbatimi i sistemit dual të arsimit, ngjashëm sikurse ai në Austri, si një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik.