Kryeministri malazez: Çështja e Demarkacionit ende s’është mbyllur, presim formimin e një Komisioni

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur në takim homolun e tij malazez, Dushko Markoviq. Pas takimit në konferencën e përbashkët për media, të dy kryeministrat konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit ndërshtetëror

Haradinaj tha se hapja e qendrës për zhvillim e malazezëve, konfirmon se Kosova e pranon këtë komunitet si në “shtëpinë e vet”.

Kryeministri Haradinaj, gjatë takimit tha se ka biseduar për të gjitha temat bilaterale, duke besuar që marrëdhëniet Kosovë-Mal i Zi do të thellohen edhe më tutje për qëllimet e njëjta euroatlantike.

“Ardhja e Markoviq në Kosovë, i ka dy porosi, një është qendra për zhvillim e malazezëve që e kemi inaugurua sot në mëngjes në Kosovë që është një porosi se malazezët e kanë shtëpinë e vet në Kosovë dhe pastaj është inaugurimi i autostradës që e lidh rajonin, Kosovën me Maqedoninë dhe vendet tjera. Biseduam për e gjitha temat bilaterale dhe besoj se marrëdhënia Kosovë – Mal i Zi do thellohet edhe më tej për mirë”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se ka kënaqësinë që me kryeministrin Haradinaj të bisedojë për raportet bilaterale në mes dy shteteve dhe, hapja e Qendrës Zhvillimore, është dëshmi e një miqësie thelbësore dhe të përhershme me Kosovën, si respektim i vlerave të tyre, që janë vlerë e përbashkët euroatlantike dhe multietnike mes dy vendeve.

Në këtë takim ata folën edhe për çështjen e demarkacionit. Kryeministri  malazez tha se ende nuk e kanë të përfunduar përcaktimin e vijës kufitare me Kosovën, për të cilën tha se do të bëhet kur të formohet një komision dhe të dyja palët flasin haptas me njëra tjetrën, njofton Klan Kosova.

Edhe kryeministri Haradinaj u pajtua me homologun e tij, Dushko Markoviq, se çështja e Demarkacionit duhet të zgjidhet në një mënyrë të bashkëpunimit dhe mirëbesimit mes dy shteteve.