Kryeministri Rama viziton Xhaminë e Plumbit në Shkodër që do të restaurohet nga Turqia

Në kuadër të projektit të restaurimit që do të realizohet me mbështetjen e Turqisë, do të ndërtohet minarja e Xhamisë së Plumbit, do të rinovohet mbulesa e plumbit dhe do të ndërtohet një sistem për parandalimin e përmbytjes së xhamisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kanë vizituar Xhaminë e Plumbit në Shkodër, e cila do të restaurohet me mbështetjen e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me inspektimin e tij, kryeministri Rama në rrjetet sociale ka shkruar: “Xhamia historike e Plumbit, ku nisim zbatimin e projektit të restaurimit të thellë si dhe transformimit të krejt mjedisit përreth, jo vetëm duke u kthyer besimtarëve një tempull në kushte optimale, po duke i shtuar edhe Shkodrës e Shqipërisë, një tjetër atraksion të madh turistik”.

Rama ka theksuar gjatë vizitës se më në fund do të realizohet projekti i restaurimit të Xhamisë së Plumbit.

“Kjo ishte një kërkesë prej kohësh që unë e kisha bërë për të mbështetur rindërtimin e thellë të disa xhamive që janë momente kulture të jashtëzakonshme dhe kjo (Xhamia e Plumbit) është një nga ato. Më në fund tani do të realizohet. Këtu problematika ka qenë e lidhur me të gjithë terrenin dhe për këtë gjë është gjetur zgjidhja. Besoj që do të dalë shumë bukur”, u shpreh Rama.

Ministrja Margariti, duke folur edhe për projektin e restaurimit që do të realizohet nga Turqia, tha se Xhamia e Plumbit do t’u kthehet besimtarëve totalisht funksionale.

Protokolli për restaurimin e Xhamisë së Plumbit u nënshkrua nga ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy dhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Turqi më 6-7 janar 2021.

Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve e Turqisë do të restaurojë Xhaminë e Plumbit e tipit osman që njihet ndryshe edhe si xhamia Mehmet Pashë Bushatit, e ndërtuar në shekullin e 18-të.

Në kuadër të projektit të restaurimit, do të ndërtohet minarja e Xhamisë së Plumbit, do të rinovohet mbulesa e plumbit, do të realizohen punime suvatimi dhe druri. Gjithashtu synohet të ndërtohet një sistem për parandalimin e përmbytjes së xhamisë. /aa