Kryeparlamentari rus: OKB-ja duhet të hetojë ‘krimet e SHBA-së kundër njerëzimit’

Vyacheslav Volodin

Kryeparlamentari rus, Vyacheslav Volodin, tha sot se OKB-ja duhet të hetojë “krimet kundër njerëzimit” të Washington-it, duke iu referuar fjalimit të ish-Sekretarit të Shtetit Colin Powell në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në vitin 2003, ku ai kishte pretenduar se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë, transmeton Anadolu.

“Kanë kaluar 20 vjet nga një prej mashtrimeve më të mëdha të komunitetit botëror nga ana e SHBA-së. Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sekretari i Shtetit Powell akuzoi Irakun për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë, duke paraqitur një epruvetë me ‘materje të bardhë’ si provë”, tha kreu i Dumës së Shtetit Vyacheslav Volodin në Telegram.

Volodin tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk i dha leje Washington-it për të përdorur forcën, por se SHBA-ja sulmoi Irakun gjithsesi, duke rezultuar në gjysmë milioni viktima civile, ndërsa presidenti i vendit u ekzekutua.

Duke vënë në dukje se Powell më vonë pranoi se skena e epruvetës ishte “një mashtrim” dhe se Washington-i nuk është mbajtur përgjegjës për këtë, Volodin pohoi se e gjithë politika e SHBA-së dhe e Perëndimit kolektiv “bazohet në gënjeshtra”.

“Ishte e njëjta gjë me ‘moszgjerimin’ e NATO-s në lindje. Marrëveshjet e Minskut (2014) dolën gjithashtu të ishin mashtrim – vetëm këtë herë (ish-kancelarja gjermane Angela) Merkel dhe (ish-presidenti francez Francois) Hollande vepruan si Powell. OKB-ja duhet të hetojë krimet e Washington-it kundër njerëzimit”, tha Volodin.

“Politikanët që morën vendimet duhet të ndëshkohen për miliona viktima, refugjatë, fate të shkatërruara, shtete të shkatërruara”, shtoi ai.

Në fjalimin në vitin 2003 para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Powell pretendoi se ish-udhëheqësi irakian Saddam Hussein kishte në zotërim një program të armëve të shkatërrimit në masë. Ky pretendim shërbeu si shtyllë për pushtimin e vendit nga SHBA-ja.