Kryepeshkopi gjerman ofron dorëheqje për shkak të skandaleve me abuzime në kisha

Një nga kryepeshkopët më të shquar katolik gjermanë sot i ofroi dorëheqje Papa Françeskut, duke përmendur trajtimin e skandalit me abuzime seksuale në kisha si një arsye që ai dëshiron të tërhiqet duke thënë se kisha kishte arritur në “pikën e vdekur”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kardinali Reinhard Marx, 67-vjeç, kryepeshkopi i Mynihut dhe Freisingut, publikoi në internet pjesë të letrës së tij të dorëheqjes drejtuar Papës.

Në letër, ai shkroi se dëshiron të marrë një pjesë të përgjegjësisë për “katastrofën e abuzimit seksual nga mbajtësit e zyrave të kishës në dekadat e fundit”.

Marx, i cili udhëhoqi Konferencën e Peshkopëve Gjermanë nga 2014 deri në 2020, shkroi se hetimet gjatë dekadës së fundit treguan se janë vërejtur “shumë dështime personale dhe gabime administrative, por edhe dështime institucionale ose sistematike”.

Në vitin 2018, një raport i porositur nga kisha arriti në përfundimin se të paktën 3.677 persona u abuzuan nga klerikët në Gjermani midis periudhës 1946-2014. Më shumë se gjysma e viktimave ishin të moshës 13-vjeç ose më të rinj kur ndodhi abuzimi dhe gati një e treta e tyre ishin djem altari, sipas raportit.

Në fillim të këtij viti, në një raport tjetër rreth abuzimit seksual në dioqezën perëndimore të Këlnit, nxori raste të shumta të abuzimit seksual nga priftërinjtë. Kryepeshkopi i Hamburgut, një ish-zyrtar i kishës së Këlnit i cili ishte fajësuar në atë raport, i ofroi dorëheqjen Papës dhe iu dha një “pushim” në afat të papërcaktuar. /aa